Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë
Kosovski Resursni Centar za Civilno Društvo
Kosovo Resource Centre for Civil Society

logo logo

Përfundon edicioni i tretë i Shkollës për Aktivizëm

 07-07-2023

 
Përfaqësuesit/et e mbi 20 organizatave që përfunduan suksesshëm Shkollën për Aktivizëm-Edicioni 3, sot u njoftuan nga afër me mundësinë e përfitimit të ekspertizës në fusha të ndryshme nga procesi i mentorimit që ofrohet falas për pjesëmarrësit/et e Shkollës.
Gjatë një pritje në ambientet e KCSF-së, patën rastin të shkëmbejnë ide dhe të paraqesin nevojat momentale që kanë organizatat e tyre, e të cilat do të mund të mbështeteshin përmes mentorimit dhe krijimit të grupeve sektoriale për procesin e integrimit evropian.
Njëkohësisht ata/ato pranuan certifikatat finale të pjesëmarrjes në gjeneratën e tretë të Shkollës për Aktivizëm.
Në hapje të kësaj ceremonie, Anne-Sophie Houee, Udhëheqëse e Ekipit- Seksioni për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi se BE-ja e mirëpret mbështetjen e KCSF-së për OShC-të pjesëmarrëse në Shkollë. “BE-ja mirëpret mbështetjen thelbësore të KCSF-së për ngritjen e kapaciteteve të mbi 20 OShC-ve të cilat tani janë më të përgatitura për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve të tyre, për të reduktuar pabarazitë gjinore dhe për të promovuar veprime më të mira që u përgjigjen nevojave të njerëzve. BE-ja është e përkushtuar të vazhdojë të mbështesë një sektor dinamik, të fortë dhe të përgjegjshëm të shoqërisë civile në Kosovë”, ka theksuar Houee.
Ndërkaq Dren Puka, drejtori i Departamentit në KCSF, ka nënvizuar se përmbyllja e edicionit të tretë të Shkollës për Aktivizëm nënkupton se mbi 70 organizata tashmë janë të përgatitura më mirë për të punuar në komunitet dhe për kontribuuar në jetën publike. “Bashkëpunimi i KCSF-së me OShC-të pjesëmarrëse në Shkollën për Aktivizëm, me përkrahjen e vazhdueshme të BE-së, do të vazhdojë tutje përmes procesit të mentorimit që do të ofrohet varësisht nga nevojat e organizatave”, ka plotësuar ndër të tjera Puka.
Detajet rreth fushave që mbështeten përmes mentorimit i gjeni këtu: https://bit.ly/3Bzoo3d
Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, projekt që bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian (BE) dhe Suedia dhe zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).